Kontakt  

 Komisioni i Prokurimit Publik
 Rruga “Papa Gjon Pali II”
 Nr. 3  Tiranë, Shqipëri
 

 Tel, Fax:       +355 4 2281 851 

 Email: 
Kpp_info@kpp.gov.al
 Procedurat për ankimim  
 

Si të arrish mbrojtjen ligjore? Procedurat e apelimit – hap pas hapi

1.
   
Apeluesi. Operatori ekonomik ose Tenderuesi, si dhe çdo person që ka ose ka pasur interes në një procedurë prokurimi publik, koncesioni, ankandi dhe kur është dëmtuar ose rrezikohet të dëmtohet nga një vendim i autoritetit kontraktor, i marrë në kundërshtim me këtë ligj, mund ta kundërshtojë vendimin.

2.   Ankesa për procedurat e prokurimeve dhe ankandeve i paraqitet, së pari, me shkrim, Autoritetit Kontraktor në fjalë brenda 7 ditëve që nga dita kur ankimuesi është vënë në dijeni ose duhet të ishte vënë në dijeni për shkeljen e pretenduar, sipas këtij ligji.  Në rastet e koncesioneve, pas marrjes së njoftimit të klasifikimit, ankesa nuk i paraqitet Autoritetit Kontraktor, por menjëherë KPP.


3.   Afatet kohore për paraqitjen e ankesës për prokurimet publike dhe ankandet. Nëse Autoriteti Kontraktor nuk shqyrton ankesën brenda afatit kohor të përcaktuar në ligj, ose e refuzon atë, ankimuesi mund të paraqesë një ankesë me shkrim në Komisionin e Prokurimit Publik brenda 10 ditëve nga dita e nesërme e punës, pas përfundimit të afatit kohor të përcaktuar, ose, në rast se ankesa nuk pranohet nga Autoriteti Kontraktor, që nga dita kur ankuesi është njoftuar nga Autoriteti Kontraktor. Një kopje me shkrim e ankesës i dërgohet edhe Autoritetit Kontraktor.  Ankesa për procedurat e koncesioneve  i paraqitet KPP brenda 5 ditëve nga marrja e njoftimit të klasifikimit.


4.
   
Përmbajtja e ankesës. Ankesa në Komisionin e Prokurimit Publik bëhet me formularin përkatës, ku shënohen emri dhe adresa e ankuesit, referimi për procedurën konkrete, baza ligjore dhe përshkrimi i shkeljes, pretendimi i ankuesit për vendimin përfundimtar, shkallët e ankimit, shoqëruar me dokumentacionin përkatës dhe vendimin e Autoritetit Kontraktor. Elementet e mësipërme janë të domosdoshme për shqyrtimin e ankesës. Çdo ankesë në Komisionin e Prokurimit Publik bëhet kundrejt pagesës.  Ankimuesi është i detyruar t’i bashkëlidhë ankimimit dokumentin bankar që vërteton pagesën e tarifës përkatëse për ankesën.

5.
   
Pagesa për kryerjen e procedurës. Në procedurat e KPP-së, ankimuesi duhet të paguajë një tarifë për zhvillimin e procedurës së prokurimit publik, sipas VKM-së nr. 261 datë 17.03.2010 për rishikimin e ankesës nga KPP-ja në masën 0.5 % e vlerës të procedurës së prokurimit; në bazë të Ligjit Nr. 9663, datë 18.12.2006 "Për Koncesionet",  tarifa  për  shqyrtimin e ankesës nga KPP është 10%  e vlerës së garancisë së ofertës të Koncesionit; dhe në bazë të VKM-së nr. 56 datë 19.01.2011, tarifa  për  shqyrtimin e ankesës për ankandin është 0,5%  e vlerës fillestare.   Pagesa e tarifës i kthehet ankimuesit, si në prokurimet publike, ankandet, ashtu dhe në koncesionet kur, në fund të procesit të ankimimit, ankesa e tij pranohet. Kur ankesa nuk pranohet të ardhurat e arkëtuara nga tarifa e ankimimit derdhen 100 % në Buxhetin e Shtetit.

6.
   
Procedurat e Autoritetit Kontraktues gjatë Ankimimit. Me marrjen e ankesës me shkrim, Komisioni i Prokurimit Publik duhet të sigurohet që autoriteti kontraktor e ka pezulluar procedurën e prokurimit, ankandit apo koncesionit deri kur, Komisioni i Prokurimit Publik udhëzon ndryshe Autoritetin Kontraktor.

7.
   
Vendimmarrja. Me marrjen e ankesës me shkrim të ankimuesit, Komisioni i Prokurimit Publik duhet të marrë vendim brenda 20 ditëve për procedurat e prokurimeve dhe ankandeve, ndërsa brenda 30 ditëve për procedurat e koncesioneve. Vendimet duhet të publikohen në faqen e KPP-së. Vendimi i KPP-së është përfundimtar dhe i detyrueshëm.

8.
   
Kostot e procedurave. KPP-ja duhet të vendosi mbi kostot e procedurave apeluese, të përcaktojë se kush është përgjegjës për kostot e procedurave, kujt dhe brenda cilit afat kohor duhet të kryhen pagesat. Kërkesa për disbursimin e kostove të procedurave, duhet të jetë tëresisht e përfunduar, detajuar dhe të paraqitet përpara miratimit të vendimit.  

9.
   
Mbrojtja Ligjore. Ankuesi ka të drejtë, që kundër vendimit të Komisionit të Prokurimit Publik, brenda 5 ditëve nga njoftimi i vendimit apo plotësimi i afatit të caktuar, e kur ky komision nuk e ka shqyrtuar ankimin, të bëjë padi për shqyrtim të mosmarrëveshjes administrative në gjykatën përkatëse. Shqyrtimi i këtij ankimi në gjykatë nuk pezullon procedurat e prokurimit publik, ankandeve dhe koncesioneve.